E Mrkur, Korrik 23, 2014
   
Text Size

Ligji kundër duhanit shqetëson pronarët e lokaleve



Ligji për ndalimin e pirjes së duhanit nëpër vende publike, i cili ka filluar së zbatuari nga fillimi i këtij viti, për drejtuesit e bizneseve hoteliere do të jetë një sfidë shumë e madhe, sepse siç thonë ata, do të ketë ndikim në rënie të qarkullimit të punës.

Arian Krasniqi, pronar i lokalit hotelier “Deep”, është shprehur i shqetësuar me ndalimin e konsumimit të duhanit brenda lokaleve, duke theksuar se do të ndikojë në rënie të punës deri në 50 për qind nëse aplikohet ky ligj.

Sipas tij, përqindja e hapësirës prej 30 për qind të lejimit të konsumimit të duhanit në raport me 70 për qind të ndalimit është e vogël.

“Do të jetë shumë e vështirë për ato biznese që kanë hapësirë të vogël të lokaleve për të bërë ndarjen fizike siç po kërkohet me ligj”, ka theksuar ai.

Edhe Fadili njëri nga pronarët e lokalit hotelier “Trojet”, ka thënë se aplikimi i Ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura do të ndikojë direkt në rënie të qarkullimit ditor.

Ai ka thënë se për bizneset hoteliere do të jetë një sfidë shumë e madhe aplikimi i këtij ligji, ku do të ndikojë në rënie të punës deri në 30 për qind, pasi që shumica e mysafirëve të tij konsumojnë duhan.

“Konsumatori që vjen nëse merr një kafe ai bashkë me të konsumon edhe cigare, po ashtu edhe ata të cilët ushqehen pas shujtës konsumojnë duhan. Kështu që do të ketë rënie të punës edhe më të madhe në kohë të krizës”, ka thënë ai.
Nisen xhobat

 Ndërkaq, zyrtarë qeveritarë kanë paralajmëruar ndëshkime serioze për ato biznese që nuk e respektojnë ligjin.

Iliriana Zymberaj, kryeinspektore e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, ka thënë se fillimisht do të shkohet me shpërndarje të vërejtjeve tek ata që nuk e kanë bërë ndarjen e lokalit, ku mund të konsumohet duhani, e më pastaj pas 30 ditësh do të shpërndajnë gjoba.

“Pronarët e lokaleve hoteliere që nuk respektojnë rregullat për vendosjen e shenjave dhe mbishkrimeve për ndalimin e duhanit dhe që nuk e bëjnë ndarjen fizike siç kërkohet me ligj do të gjobiten 3 mijë deri në 5 mijë euro”, ka thënë ajo, duke shtuar se që nga muajt e ardhshëm do të shpërndajnë dënime nëse nuk respektohet ligji.

Ajo ka thënë se edhe personin fizik që gjendet duke pirë duhan në hapësirat e mbyllura, ku tymosja është e ndaluar do të gjobiten me 20 euro, ndërsa personat fizikë që pinë duhan në vend të punës do të gjobiten me zbritje prej 5 për qind të pagës neto mujore.

Zymberi ka deklaruar se ka pasur raste, kur pronarët e bizneseve hoteliere janë ankuar se do ta humbin biznesin dhe punën me të filluar aplikimi i ndalesës për duhanin. Ajo ka theksuar se si inspektorat qe dy vjet me radhë kanë shkuar më shumë me format edukative dhe këshilluese.

E pashmangshme hapësira për duhanin

Ndërsa Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), mendon se nëse krijohen hapësirat e mjaftueshme për pirjen e duhanit nuk do të ketë rënie të qarkullimit të tyre.

“Duhet të ketë një zgjidhje të rrjedhshme pasi që në lokale duhet të krijohen hapësira për ata që pinë dhe ata që nuk pinë duhan. Kështu që kërkon një investim dhe nuk mund të kryhet brenda ditës”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa Fisnik Reqica, hulumtues në Institutin “Riinvest”, ka thënë se fillimisht mund të ketë efekt në rënie të evolucionit të punës biznesit hotelier, për arsye se ndoshta nuk do të zbatohet plotësisht nga të gjithë.

“Në afat të shkurtër do të ketë rënie të qarkullimit, për arsye se do t’i bartë klientët te një grup i lokaleve që janë jozbatues i ligjeve, kurse do t’i afektojë ata që e zbatojnë ligjin”, ka thënë ai.

Sipas tij, një lokal, i cili e zbaton dhe tjerët nuk e zbatojnë ligjin, atëherë sipas tij, mund të ketë efekt negativ te ato lokale që janë zbatues të këtij ligji.

“Sikurse taksat që i afektojnë tatimpaguesit e rregullt të cilët pastaj e kanë koston më të lartë se sa ato biznese që punojnë në mënyrë jo të rregullt dhe nuk paguajnë taksa”, ka thënë Reçica, duke shtuar se mund të krijohet një konkurrencë jolegale e tregut.

3 – 5 mijë euro dënimi

Iliriana Zymberaj, kryeinspektore e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, ka thënë se fillimisht do të shkohet me shpërndarje të vërejtjeve tek ata që nuk e kanë bërë ndarjen e lokalit, ku mund të konsumohet duhani, e më pastaj pas 30 ditësh do të shpërndajnë gjoba.

“Pronarët e lokaleve hoteliere që nuk respektojnë rregullat për vendosjen e shenjave dhe mbishkrimeve për ndalimin e duhanit dhe që nuk e bëjnë ndarjen fizike siç kërkohet me ligj do të gjobiten 3 mijë deri në 5 mijë euro”, thënë ajo, duke shtuar se që nga muajt e ardhshëm do të shpërndajnë dënime nëse nuk respektohet ligji.

Radio Shqip

LCplayer